Siç dihet tashmë Eurovision 2022 do të zhvillohet në Torino, si rrjedhojë e fitores së grupit Maneskin vitin e kaluar. Prej kohësh në media është përfolur gjatë se cilët do të jenë prezantuesit e këtij edicioni por sipas agjencisë së lajmeve italiane, këngëtarja Laura Pausini dhe drejtuesi televiziv Alessandro Cattelan kanë nënshkruar tashmë kontratat e tyre, me përjashtim të këngëtarit britanik, Mika, i cili e ka mohuar vazhdimisht përfshirjen e tij, por thuhet se tashmë ai është gati të nënshkruajë kontratën e tij. Ndërkohë njoftimi zyrtar pritet që të vijë në natën e dytë të “Sanremo”-s, ku këngëtarja Laura Pausini mendohet të jetë planifikuar të shfaqet si e ftuar speciale.
Laura Pausini është një ndër artistet më të njohura italiane në botë dhe njëkohësisht dhe një ndër yjet e preferuar për të prezantuar kompeticionin muzikor. Ajo ka fituar pothuajse çdo çmim të madh deri më sot duke përfshirë një çmim MTV Italian Music Awards, Grammy Awards, Latin Grammy Awards dhe Billboard Latin Music Awards. Ndërkohë gjatë muajit shtator, drejtori i Rai 1, Stefano Coletta, konfirmoi për mediat §se Rai ishte në negociata me Alessandro Cattelan për organizimin e Eurosong 2022.
“Eurovisioni sigurisht që do të ishte një mundësi e shkëlqyer që, nëse ndodh, do të nënkuptonte falënderimin e shumë njerëzve sepse do të ishte një ndërthurje e ngjarjeve me fat. Nga fitorja e Maneskin, nga zgjedhja e Maneskin në Sanremo, nga zbulimi i Maneskin në X Factor, nga Marta Dona që i çoi ata deri atje” – u shpreh ai.
Nga ana tjetër Mika, një interpretues dhe personalitet mjaft i njohur në Itali, përveç faktit që njihet si mentor në versionin italian të X Factor, ai ka luajtur gjithashtu në “Stasera Casa Mika”. Gjatë muajit tetor, Mika dhe ekipi i tij mohuan lajmet e përfolura se ai do të prezantonte Eurovisionin këtë vit. Mohimi i tij erdhi në një intervistë të publikuar nga gazeta franceze Le Journal du dimanche, pasi një gazetar e pyeti Mikan nëse thashethemet janë të vërteta duke u shprehur se: “Vërtet nuk e di se për çfarë po flisni. Duhet të keni lexuar gabim”.
Gjithashtu për sa i përket Shqipërisë këtë vit do të prezantohemi me këngën e titulluar “Sekreti” nga Ronela Hajati. Do të jetë pikërisht kjo këngë e cila do të hapë natën e parë të gjysmëfinales së “Eurovision”-it, teksa Ronela ka njoftuar se ka filluar me përgatitjet e saj për të përditësuar këngën, e për ta sjellë në versionin më të pëlqyer.