Të shtunën mbrëma ishte nata finale e një prej festivaleve më të rëndësishëm muzikor në Europë, Eurovizion 2022. Kënga “Stefania” nga grupi Kalush Orchestra është ajo që u shpall fituese e edicionit të këtij viti.Ky sezon i festivalit u mbajt në “Pala Alpitour” të Torinos në Itali, dhe mirëpriti në finale plot 25 shtete, pesë prej të cilave u kualifikuan automatikisht dhe 20 të tjera që arritën kualifikimin nga netët gjysmëfinale. Grupi Kalush Orchestra morën mjaftueshëm pikë nga juritë profesionale të shteteve pjesëmarrëse, por rezultati kaloi edhe më në epërsi kur u njoftuan votat e publikut, nga ku shteti ukrainas kishte siguruar pikët maksimale të mundshme nga votuesit mbarë-evropianë. Grupi arriti të grumbullojë 631 pikë, duke lënë pas Britaninë e Madhe dhe , Spanjën të cilat u renditën respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë.
Ishte vota e publikut ajo që përmbysi rezultatin duke i dhënë Ukrainës vendin e parë në garë. Ukraina mori në total 449 pikë nga publiku, ndërsa 182 pikë nga juria e shteteve. Ndërkohë vendi ynë përfaqësuar nga këngëtarja Ronela Hajati me këngën “Sekret”, nuk arriti të kualifikohej në finale. Ndërsa sa i përket pikëve të jurisë shqiptare, vlerësuan Italinë me 12 pikë.