Reperi Fetty Wap u akuzua të premten për pjesëmarrje në një organizim për të kontrabanduar sasi të mëdha heroine, fentanil dhe droga të tjera në rajonin e qytetit të Nju Jorkut.
Willie Maxwell siç është edhe emri i vërtetë i reperit, u arrestua të enjten në City Field, ku po zhvillohet festivali tre ditor i muzikës hip-hop Rolling Loud. Reperi është akuzuar së bashku me pesë të pandehur të tjerë, duke përfshirë një oficer të Nju Xhersit.
Policia akuzon Maxwell-in dhe të pandehurit e tjerë për komplot për të poseduar dhe shpërndarë më shumë se 100 kilogramë heroinë, fentanil dhe kokainë midis muajit qershorit të vitit 2019 dhe qershorit të vitit 2020. Skema përfshinte përdorimin e Shërbimit Postar të SHBA dhe disa makinave për të zhvendosur lëndët narkotike nga Bregu Perëndimor në Long Island, ku ato ruheshin për t’u shpërndarë më pas te tregtarët në Long Island dhe New Jersey.
Përfaqësimi ligjor për Fetty Wap nuk ka bërë asnjë deklaratë. Fetty Wap është planifikuar të dalë në gjyq më vonë gjatë pasdites.
Fetty Wap është përballur me disa çështje ligjore gjatë viteve të fundit, duke përfshirë një arrestim të vitit 2019 në Nevada për sulmin e dyshuar të tre punonjësve në një hotel në Las Vegas. Më vonë në vitin 2020, Fetty Wap u padit nga një grua e cila pretendoi se reperi tentoi ta mbyste dhe e goditi me grusht gjatë një incidenti. Fetty Wap u arrestua gjithashtu pas garimit me makinë nën ndikimin e substancave narkotike në nëntor të vitit 2017.