Reperi i njohur Drakeo The Ruler ka humbur jetën në moshën 28-vjeçare pasi u godit me thikë në prapaskenë në një festival në Los Angeles.Emri i vërtetë i artistit ishte Darrell Caldwell.
Reperi i “Talk to Me” ishte planifikuar të performonte në festival ku u sulmua të shtunën mbrëma në koncertin Once Upon a Time në LA, ku pritej të luanin disa artistë, duke përfshirë Snoop Dogg, 50 Cent dhe Ice Cube.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të L.A, një burrë u transportua në një spital lokal në gjendje kritike, pasi u godit me thikë. Burime nga mediat njoftuan se njeriu i transportuar nga festivali ishte Drakeo the Ruler. Fillimisht ishte raportuar se reperi ishte plagosur rëndë, më pas u mësua se ai ishte ndërruar jetë, ndërsa arsyet e sulmit nuk dihen ende. Si pasojë e tragjedisë, pak pas orës 22:00, të pranishmit në koncert u lajmëruan se festivali kishte përfunduar më herët dhe 50 Cent dhe Snoop Dogg nuk ishin në gjendje të performonin.
Caldwell, filloi të publikonte mixtapes në vitin 2015 dhe shkurtin e kaluar debutoi albumin e tij të parë “The Truth Hurts”, i cili është vlerësuar si “stili më origjinal në Bregun Perëndimor” për tekstet e tij. Miksi i tij “Thank You for Using GTL” përmban vargje të regjistruara në Burgun Qendror të Burrave në Los Anxhelos. Më parë reperi ka pasur probleme edhe me ligjin. Ai u lirua në vitin 2019 nga akuzat për vrasje të rëndë dhe tentativë vrasjeje, pas vrasjes së një 24-vjeçari në vitin 2016. Më tej ai u lirua nga paraburgimi në nëntor të vitit 2020 pasi arriti një marrëveshje për pranimin e fajësisë.