Në koncertin që u zhvillua këtë të martë në Resorts World Arena Birmingham performuan artistë të njohur si Ed Sheeran, Camila Cabello, Becky Hill, Snow Patrol, Manic Street Preachers e shumë të tjerë. Snow Patrol hapi shfaqjen me “Run”, ndërsa Tom Odell interpretoi “Another Love”, e cila është kthyer në një simbol të shpresës për ukrainasit në këto ditë të luftës. Becky mahniti me interpretimin e saj të këngës “You Got The Love” të The Source Candi Staton. Ndërkohë Camila performoi “Fix You” të Coldplay, përpara se të bashkohej në skenë nga Ed Sheeran për duetin e tyre “Bam Bam”. Ed Sheeran këndoi gjithashtu edhe hitet e tij “perfect” dhe “bad habits”.
Në skenë u ngjitën edhe Anne-Marie, Emeli Sande, Gregory Porter dhe Paloma Faith.
Në pamundësi për të qenë pjesë Billie Eilish dhe vëllai i saj Finneas ndanë një video mesazh mbështetjeje nga SHBA duke thënë : “Përshëndetje të gjithëve, na vjen shumë keq që nuk mund të jemi atje sonte, por ne ende duam të ofrojmë të gjithë dashurinë dhe mbështetjen tonë për të gjithë ata që performojnë dhe më e rëndësishmja të shprehim mbështetjen dhe solidaritetin për miliona njerëz që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të lënë gjithçka pas. Organet bamirëse që ofrojnë ndihma humanitare po bëjnë një punë jetike, kështu që ne duam t’u themi faleminderit atyre dhe faleminderit për ju që dhatë gjithçka që mundeni.”