Jamal Edwards, sipërmarrësi i parë i muzikës britanike ndahet nga jeta në moshën 31-vjeçare.

Facebook
Twitter
LinkedIn
WhatsApp

Edwards, i cili u rrit në Londër, ishte vetëm një adoleshent kur filloi punën në SBTV në vitin 2006, një sipërmarrje që ka ndihmuar në udhëheqjen e karrierës së Dave, Skepta, Stormzy dhe shumë artistëve të tjerëve. Jamal Edwards, themeluesi dhe CEO i SBTV, platforma e mediave rinore britanike u nda nga jeta këtë të diel më 20 shkurt. Në fillimet e tij Edwards, një përdorues i hershëm i YouTube, përdori kanalin e tij për t’u promovuar muzikën miqve të tij të talentuar. Me kalimin e kohës, ai nisi të punonte me artistë si Nicki Minaj, Ed Sheeran dhe Jessie J. Kanali SBTV YouTube që ai krijoi aktualisht ka më shumë se 1.22 milionë abonentë. “Në moshën 16 vjeç, mund të mos e kisha pasur këtë përvojë” tha ai në një intervistë me Prince’s Trust, një organizatë bamirëse që ndihmon të rinjtë të krijojnë bizneset e tyre, por unë isha plot energji, ide dhe gati për të ecur përpara”.

Edwards e përdori atë energji për të ndihmuar dhe frymëzuar të tjerët dhe për të krijuar bashkëpunime. Ishte Edwards ai që inkurajoi Sheeran të kontribuonte për një këngë që ai kishte zbuluar nga artisti Afrobeat Fireboy DML. Kënga ishte “Peru”, e cila arriti kulmin në vendin e dytë në tabelën zyrtare të këngëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Përpjekjet e Edwards u njohën në vitin 2014, kur ai u emërua MBE për shërbimet në muzikë. “Kurrë në një milion vjet nuk kam menduar ndonjëherë se do të merrja një vlerësim të tillë,” tha ai në një postim social në atë kohë. “Për mua kjo ka të bëjë me ne të rinjtë, me kaq shumë negativitet rreth nesh, ndonjëherë është e vështirë të qëndrosh pozitiv dhe të luftosh për ëndrrat e tua.”

Sipërmarrësi i ndjerë është djali i Brenda Edwards, këngëtares dhe aktores angleze, e cila në vitin 2005 përfundoi në vendin e katërt në serinë e dytë të X Factor. Ajo konfirmoi vdekjen e tij në një deklaratë, duke thënë se: “Me dhimbjen më të thellë konfirmoj se djali im i bukur Jamal Edwards ndërroi jetë dje në mëngjes pas një sëmundjeje të papritur. Unë, motra e tij Tanisha dhe pjesa tjetër e familjes dhe miqve të tij jemi krejtësisht të shkatërruar. Ai ishte qendra e botës sonë.”

Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur ende për mediat. Ndërsa lajmi për vdekjen e tij u përhap, homazhet nga artistë të njohur dhe personalitete të ndryshëm me rëndësi në Britaninë e Madhe, u shpërndanë në internet pasi Edwards u kujtua si një shkëndijë në këtë industri, një njeri i cili erdhi dhe solli risi dhe  padyshim një njeri i paharrueshëm.

 

  • https://cp1.sednastream.com/proxy/radiosol/stream
  • Radio SOL