Një grup i vogël individësh të pasur mund të ndihmojë në zgjidhjen e krizës së urisë në botë me vetëm një shifër të vogël të vlerës së pasurisë neto, thotë drejtori i Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara.
Miliarderët duhet “të ngrihen tani në të njëjtën kohë”, tha kreu i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley, në një intervistë duke përmendur veçanërisht dy njerëzit më të pasur në botë, Jeff Bezos dhe Elon Musk, I cili vetëm pak ditë më parë u shpall si njeriu më i pasur në botë.
Drejtori ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, ka një vlerë neto prej afro 289 miliardë dollarë, sipas Bloomberg, që do të thotë se Beasley po kërkon vetëm 2% të pasurisë së tij. Vlera neto e miliarderëve amerikanë pothuajse është dyfishuar që nga fillimi i pandemisë.
Ndërkohë gjysma e popullsisë së Afganistanit, 22.8 milionë njerëz, po përballet me një krizë akute urie, sipas një raporti të WFP të publikuar të hënën, ku 3.2 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç janë në rrezik.
Kështu pas gjithë këtyre deklaratave Elon Musk është i gatshëm të dhurojë një pjesë të pasurisë së tij për t’i dhënë fund krizës së urisë në botë, mjafton që Organizata e Kombeve të Bashkuara, t’i vërtetojë se si 6 miliardë dollarë do t’i japin fund krizës.
Elon Musk sfidoi pretendimin e një zyrtari të Kombeve të Bashkuara i cili tha se se vetëm një përqindje e vogël e pasurisë së Musk mund të ndihmonte në zgjidhjen e problemit të urisë në botë. Elon i referohet komentit të David Beasley-t, drejtorit të Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, i cili bëri thirrje që miliarderët të bashkëpunojnë një herë të vetme.
Beasley bëri thirrje në mënyrë specifike për veprim nga Musk dhe bashkëthemeluesi i Amazon Jeff Bezos. Vetëm 6 miliardë dollarë, ose 2% e pasurisë së Elon Musk, mund të shpëtojnë 42 milionë njerëz nga vdekja, tha ai.
“Nëse Programi Botëror i Ushqimit mund të përshkruajë saktësisht se si 6 miliardë dollarë do të zgjidhin krizën e urisë, unë do të shes aksionet e Tesla-s tani dhe do ta bëj.” – është shprehur Elon Musk në një postim në rrjetet sociale.
Në një tjetër postim, Musk theksoi se duhet qe veprimet të jenë transparente në mënyrë që publiku të shohë saktësisht se si shpenzohen paratë.