Çmimet “Grammy” kanë qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së mediave dhe kritikave vitet e fundit me artistët që janë nominuar për shumë çmime. Shumë këngëtarë e kanë bojkotuar herë pas here ceremoninë, ashtu sikurse The Weeknd që nuk mori pjesë pasi albumi i tij “After Hours” nuk u nominua në asnjë kategori. Këtë vit reperi Drake është ai që ka tërhequr dy nominimet e tij për çmimet e ardhshme Grammy 2022.
Reperi u nominua për albumin më të mirë rep “Certified Lover Boy” dhe performancën më të mirë rep në këngën “Way 2 Sexy”. Drake ishte një nga pesë artistët në secilën prej kategorive në të cilat ai u nominua. Mediat raportojnë se ai nuk do të zëvendësohet në asnjërën kategori dhe katër artistët e mbetur tani do të vazhdojnë garën për secilin prej çmimeve.
Grammy-t konsiderohen si çmimet më prestigjioze në industrinë e muzikës dhe votohen nga anëtarët e Akademisë së Regjistrimit, një organizatë elitare e përbërë nga interpretues, producentë dhe inxhinierë audio.
Vitin e kaluar, ai kritikoi “Grammy”-t për përjashtimin e plotë të The Weeknd nga lista e nominimeve. Në vitin 2019, Drake nuk pranoi të performonte në ceremoni dhe më pas kritikoi shfaqjen e çmimeve nga skena. Atë vit, ai fitoi këngën më të mirë Rap për “God’s Plan”, por mikrofoni i tij u ndërpre gjatë fjalimit të pranimit.
Por jo vetëm kaq. Drake gjithashtu është shprehur i zhgënjyer me çmimet Grammy dhe Akademinë e Regjistrimit edhe më parë. Në vitin 2017, pasi ai anashkaloi çmimet Grammy, kritikoi Akademinë e Regjistrimit për nominimin e “Hotline Bling” në kategoritë rap, pavarësisht se insistoi që hiti i tij ishte një këngë pop. Ai gjithashtu tha, “Ne jemi kushtëzuar të mendojmë se ky është çmimi i vërtetë për arritjet tona.”
Nominimet për “Grammy” zgjidhen nga anëtarët e Akademisë së Regjistrimit dhe votohen nga vetë ata. Muzikanti i xhazit Jon Batiste kryesoi nominimet këtë vit me 11 nominime, i ndjekur nga Justin Bieber, Doja Cat dhe H.E.R. Fituesit do të shpallen në një ceremoni në Los Angeles e cila do të mbahet më 31 janar.