Pas 32 vitesh të plota karrierë, me shumë arritje, suksese, mijëra klikime nga hitet e tij e shumë çmime, Daddy Yankee ka njoftuar se po tërhiqet nga industria muzikore. Lajmin e ndau vetë këngëtari i zhanrit reggaeton, një lajm ky aspak i pëlqyeshëm nga fansat e tij.
Në deklaratën e tij ai u shpreh duke thënë se : “Kjo garë, e cila ka qenë një maratonë, më në fund sheh vijën e finishit. Tani do të shijoj atë që të gjithë ju më keni dhënë. Njerëzit thonë se unë e bëra këtë zhanër në mbarë botën, por ishiy ju që më dhatë çelësin për të hapur dyert e për ta bërë atë më të madhin në botë”.
Daddy Yankee njoftoi gjithashtu se do t’u japë lamtumirën fansave të tij me një turne dhe album të fundit, “Legendaddy”, që do të publikohet më 24 mars. Ndërkohë turneu i tij botëror “La Última Vuelta” do të nisë më 10 gusht në Portland, Oregon dhe do të zgjasë deri në dhjetor, duke përfunduar me një datë tjetër në Mexico City.
Në karrierën e tij, Daddy Yankee ka shitur më shumë se 30 milionë disqe e njihet më së shumti për hitin e tij “Gasolina” të publikuar në vitin 2004 dhe në vitin 2017, Yankee bashkëpunoi me Luis Fonsi duke sjellë hitin tjetër “Despacito”, një këngë rekord që u listua në krye të Billboard’s Hot 100 për 16 javë të plota. Despacito është gjithashtu videoja e dytë më e transmetuar e të gjitha kohërave në YouTube.