Në festivalin Astroworld në Houston i cili u mbajt në një ambient të hapur, u mësua se kanë qenë të pranishëm rreth 50,000 njerëz, ku 8 prej tyre kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë lënduar gjatë kohës kur reperi Travis Scott ndodhej në skenë. Një pjesë e madhe e njerëzve të cilët ndodheshin në koncert, filluan të shtynin njëri- tjetrin për të arritur secili drejt skenës. Rrëmuja që u krijua rezultoi më pas në pasoja fatale ku shumë njerëz rrëzoheshin pa ndjenja, disa prej tyre ngjesheshin në pamundesi për t’iu shmangur turmës, e të tjerë pësuan edhe atak kardiak. Rreth 23 njerëz janë dërguar urgjent në spital, prej të cilëve 11 janë në gjendje kritike e ndërsa 8 të tjerë nuk mundën të mbijetonin. Mes pacientëve në gjendje kritike ndodhet dhe një 10 vjeçar. Policia e Houston-it dhe stafi i sigurisë së eventit ndaluan menjëherë koncertin sapo vunë re që gjërat po dilnin jashtë kontrollit, por dëmi më i madh ishte bërë. Ende nuk dihet shkaku i reagimit të turmës, por autoritetet po hetojnë për të zbuluar çfarë e shkaktoi. Mediat kane raportuar se në koncert ka qenë e pranishme edhe Kylie Jenner së bashku me të bijën Stormi, si dhe motra e saj Kendall Jenner. Asnjëra prej tyre nuk ka pësuar demtime.
Gjithashtu nuk munguan reagimet në twitter as nga organizatorët e festivalit dhe as nga vetë reperi Travis Scott. Në një deklaratë në Twitter të shtunën në mëngjes, organizatorët e festivalit thanë se: “zemrat tona janë me familjen e Festivalit Astroworld sonte, veçanërisht ata që humbëm dhe të dashurit e tyre” dhe se: “jemi të fokusuar në mbështetjen e zyrtarëve lokalë sado që të mundemi”.
Më tej edhe reperi reagoi me anë të një statusi ku u shpreh se është absolutisht i shkatërruar nga ajo që ndodhi mbrëmë dhe gjithashtu se: “Lutjet e mia shkojnë për familjet dhe të gjithë ata që u ndikuan nga ajo që ndodhi në Astroworld Festival. Houston PD ka mbështetjen time të plotë pasi ata vazhdojnë të shqyrtojnë humbjen tragjike të jetës. Unë jam i përkushtuar të punoj së bashku me komunitetin e Houston për të shëruar dhe mbështetur familjet në nevojë. Faleminderit PD-së së Houston, Departamentit të Zjarrfikësve dhe NRG Park për përgjigjen dhe mbështetjen e tyre të menjëhershme.”